Eksodi 40
Albanian
1Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke thënë: 2Ditën e parë të muajit të parë do të ngresh tabernakullin, çadrën e mbledhjes. 3Do të vendosësh atje arkën e dëshmisë dhe do ta fshehësh arkën me një vel. 4Do të sjellësh brenda tryezën dhe do të vendosësh mbi të gjërat që duhen; do të sjellësh gjithashtu shandanin dhe do të ndezësh llambat e tij. 5Do të vendosësh altarin e artë për temjanin përpara arkës së dëshmisë, dhe do të vësh perden në hyrje të tabernakullit. 6Do ta vësh altarin e olokausteve para hyrjes së tabernakullit, të çadrës së mbledhjes. 7Do ta vendosësh legenin midis çadrës së mbledhjes dhe altarit dhe do të vësh ujë në të. 8Do t'i vendosësh perdet e oborrit rreth e qark dhe do të vësh një perde në hyrje të oborrit. 9Pastaj do të marrësh vajin e vajosjes dhe do të vajosh tabernakullin dhe tërë gjërat që ndodhen aty, dhe do ta shenjtërosh me të gjitha veglat e tij; dhe do të jetë i shenjtë. 10Do të vajosh altarin e olokausteve dhe tërë orenditë e tij; do të shenjtërosh kështu altarin dhe altari do të jetë shumë i shenjtë. 11Do të vajosh edhe legenin me të gjithë bazën e tij dhe do ta shenjtërosh. 12Pastaj do të afrosh Aaronin dhe bijtë e tij në hyrje të çadrës së mbledhjes dhe do t'i lash me ujë. 13Do ta veshësh Aaronin me rrobat e shenjta, do ta vajosh dhe do ta shenjtërosh, që të më shërbejë si prift. 14Do të afrosh edhe bijtë e tij dhe do t'i veshësh me tunika, 15do t'i vajosh ashtu si do të kesh vajuar atin e tyre, që të më shërbejnë si priftërinj; vajisja e tyre do t'u japë priftëri përjetë, brez pas brezi". 16Moisiu ashtu veproi; bëri pikërisht të gjitha ato që Zoti i kishte urdhëruar.

17Kështu ditën e parë të muajit të parë të vitit të dytë, u ndërtua tabernakulli. 18Moisiu e ngriti tabernakullin, hodhi bazat e tij, sistemoi dërrasat e tij, i vuri traversat e tij dhe ngriti shtyllat e tij. 19Mbi tabernakullin shtriu perden dhe mbi këtë vendosi mbulesën e çadrës, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. 20Pastaj mori dëshminë dhe e vendosi brenda arkës, u vuri shtizat unazave të arkës, dhe e vuri pajtuesin mbi arkë; 21e çoi arkën në tabernakull, e vari velin e perdes dhe kështu fshehu arkën e dëshmisë, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. 22Vendosi gjithashtu tryezën në çadrën e mbledhjes, në krahun verior të tabernakullit, jashtë velit. 23Vendosi sipër me rregull bukën përpara Zotit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. 24Pastaj vuri shandanin në çadrën e mbledhjes, përballë tryezës, nga ana jugore e tabernakullit; 25dhe ndezi llambat përpara Zotit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. 26Pastaj vuri altarin e artë në çadrën e mbledhjes, përpara velit, 27dhe mbi të dogji temjanin e parfumuar, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. 28Vuri gjithashtu perden në hyrje të tabernakullit. 29Pastaj vendosi altarin e olokausteve në hyrje të tabernakullit, të çadrës së mbledhjes, dhe mbi të ofroi olokaustin dhe blatimin, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. 30Pastaj vuri legenin midis çadrës së mbledhjes dhe altarit dhe e mbushi me ujë për t'u larë. 31Dhe me këtë ujë, Moisiu, Aaroni dhe bijtë e tij lanë duart dhe këmbët; 32kur hynin në çadrën e mbledhjes dhe kur i afroheshin altarit, ata laheshin, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. 33Ndërtoi gjithashtu oborrin rreth tabernakullit dhe altarit dhe vuri perden në hyrje të oborrit. Kështu Moisiu e përfundoi punën e tij.

34Atëherë reja e mbuloi çadrën e mbledhjes dhe lavdia e Zotit e mbushi tabernakullin. 35Dhe Moisiu nuk mundi të hyjë në çadrën e mbledhjes, sepse reja e kishte mbuluar nga sipër dhe lavdia e Zotit mbushte tabernakullin. 36Në të tëra zhvendosjet e tyre, kur reja ngrihej mbi tabernakullin, bijtë e Izraelit niseshin; 37por në rast se reja nuk ngrihej, nuk niseshin deri ditën që ajo të ngrihej. 38Sepse reja e Zotit qëndronte mbi tabernakullin gjatë ditës, dhe natën mbi të qëndronte një zjarr, para syve të të gjithë shtëpisë së Izraelit, gjatë gjithë zhvendosjeve së tyre.?



Albanian, ABS Version 1994

This text is copyright the Albanian Bible Society (ABS)

Bible Hub

Exodus 39
Top of Page
Top of Page