Albanian 1Dhe pashë një engjëll që zbriste nga qielli, duke pasur çelësin e humnerës, dhe një zinxhir të madh në dorë.
2Ai e kapi dragoin, gjarpërin e lashtë, që është djalli dhe Satani, dhe e lidhi për një mijë vjet,
3dhe e hodhi atë në humnerë, dhe e mbylli atë dhe vulosi mbi të, që të mos i mashtrojë më kombet, deri sa të mbushen një mijë vjet; dhe pas këtyre ai duhet zgjidhur për pak kohë. 4Dhe pashë frone, dhe ata u ulën mbi to dhe atyre iu dha pushteti që të gjykojnë edhe pashë shpirtrat e atyre që u ishin prerë kokat për dëshminë e Jezusit dhe për fjalën e Perëndisë, dhe të cilët nuk e kishin adhuruar bishën, dhe as figurën e saj dhe nuk kishin marrë damkë mbi ballin e tyre dhe në duart e tyre. Këta u kthyen në jetë e mbretëruan me Krishtin për një mijë vjet. 5Por të vdekurit e tjerë nuk u kthyen në jetë deri sa të mbusheshin një mijë vjet. Kjo është ringjallja e parë. 6I lum dhe i shenjtë është ai që ka pjesë në ringjalljen e parë. Mbi ata vdekja e dytë nuk ka pushtet, por ata do të jenë priftërinj të Perëndisë dhe të Krishtit dhe do të mbretërojnë me të një mijë vjet. 7Dhe kur të kryhen të një mijë vjetët, Satani do të zgjidhet nga burgu i tij, 8dhe do të dalë të mashtrojë kombet që janë në të katër anët e dheut, Gogun e Magogun, që t'i mbledhë ata për luftë; numri i tyre do të jetë si rëra e detit. 9Dhe ata do të lëvizin në të gjithë sipërfaqen e dheut dhe do ta rrethojnë fushën e shenjtorëve dhe qytetin e dashur. Por nga qielli do të zbresë zjarr, i dërguar nga Perëndia, dhe do t'i përpijë. 10Atëherë djallin që i kishte mashtruar, do ta hedhin në liqenin e zjarrit e të squfurit, ku janë bisha dhe profeti i rremë; dhe do të mundohen ditë e natë në shekuj të shekujve. 11Pastaj pashë një fron të madh të bardhë dhe atë që ulej mbi të, nga prania e të cilit iku dheu dhe qielli, dhe nuk u gjet vënd për ata. 12Dhe pashë të vdekurit, të mëdhenj e të vegjël, që rrinin në këmbë përpara Perëndisë, edhe librat u hapën; dhe u hap një libër tjetër, që është libri i jetës; dhe të vdekurit u gjykuan në bazë të gjërave të shkruara në libra, sipas veprave të tyre. 13Dhe deti i dorëzoi të vdekurit që ishin në të, dhe vdekja dhe Hadesi dorëzuan të vdekurit që ishin në ta; dhe ata u gjykuan secili sipas veprave të veta. 14Pastaj vdekja dhe Hadesi u flakën në liqenin e zjarrit. Kjo është vdekja e dytë. 15Dhe, nëse ndokush nuk u gjet i shkruar në librin e jetës, u flak në liqenin e zjarrit. |