2 e Koristasve 9
Albanian
1Sa për shërbesën në dobi të shenjtorëve, është e tepërt t'ju shkruaj, 2sepse e njoh gatishmërinë e zemrave tuaja, për të cilën unë mburrem për ju te Maqedonasit, se Akaia është gati që vjet; dhe zelli juaj nxiti shumë të tjerë. 3Unë i dërgova këta vëllezër, që mburrja jonë për ju të mos dalë e kotë për këtë gjë dhe me qëllim, sikurse thoja, të jeni gati, 4sepse, po të vinin me mua disa Maqedonas dhe të mos ju gjenin gati, ne (të mos them ju), do të dilnim të turpëruar për besimin dhe mburrjen tonë. 5Prandaj m'u duk e nevojshme t'i këshilloj vëllezërit të vijnë te ju më përpara, që të bëjnë gati më parë ofertën që kishit premtuar më parë, kështu që ajo të jetë gati si dhuratë bujarie dhe jo kopracie.

6Dhe ju them këtë: Ai që mbjell me kursim, do të korrë po me kursim; dhe ai që mbjell dorëhapur edhe do të korrë dorëhapur. 7Secili le të veprojë ashtu si ka vendosur në zemrën, as me keqardhje as nga shtrëngimi, sepse Perëndia do një dhurues të gëzuar. 8Dhe Perëndia mund të bëjë që gjithë hiri të teprojë për ju, aq sa mbasi të keni gjithnjë mjaft në çdo gjë, t'ju tepërojë për çfarëdo pune të mirë,

9sikurse është shkruar: ''Ai ndau, u ka dhënë të varfërve, drejtësia e tij mbetet në përjetësi''.

10Edhe ai që i jep farën mbjellësit dhe bukë për të ngrënë, ju dhëntë dhe e shumoftë farën tuaj, dhe i bëftë të rriten frytet e drejtësisë suaj; 11dhe atëherë do të pasuroheni për të qenë dorëdhënë, duke i sjellë nëpërmjet nesh falënderim Perëndisë. 12Sepse kryerja e kësaj shërbese të shenjtë jo vetëm përmbush nevojat e shenjtorëve, por sjell edhe një mbushulli falëndërimesh ndaj Perëndisë, 13sepse për shkak të përvojës nga kjo shërbesë, ata e përlëvdojnë Perëndinë për bindjen ndaj ungjillit të Krishtit që ju rrëfeni dhe për bujarinë me të cilën merrni pjesë me ta dhe me të gjithë. 14Dhe me lutjet e tyre për ju ju shfaqin një dashuri të veçantë për hirin e shkëlqyer të Perëndisë përmbi ju. 15Le të falënderojmë Perëndinë për dhuratën e tij të patregueshme.



Albanian, ABS Version 1994

This text is copyright the Albanian Bible Society (ABS)

Bible Hub

2 Corinthians 8
Top of Page
Top of Page