Albanian 1Kur Athaliah, e ëma e Ashaziahut, pa që i biri kishte vdekur, u ngrit dhe zhduku tërë pasardhësit mbretërorë.
2Por Jehosheba, bija e mbretit Joram dhe e motra e Ashaziahut, mori Joasin, birin e Ashaziahut, e nxorri fshehurazi nga mesi i bijve të mbretit që ishin vrarë dhe e vuri me tajën në dhomën e shtretërve; kështu ia fshehën Athaliahut dhe nuk u vra.
3Mbeti, pra, i fshehur gjashtë vjet në shtëpinë e Zotit me të, ndërsa Athaliah mbretëronte mbi vendin. 4Vitin e shtatë Jehojada dërgoi të thërrasë komandantët e qindsheve të rojeve personale dhe të rojeve dhe i solli pranë vetes në shtëpinë e Zotit; ai lidhi një besëlidhje me ta, i vuri të betohen në shtëpinë e Zotit dhe u tregoi birin e mbretit. 5Pastaj i urdhëroi, duke thënë: "Kjo është ajo që ju do të bëni: një e treta e atyre prej jush që hyjnë në shërbim ditën e shtunë, ka për të ruajtur shtëpinë e mbretit; 6një e treta portën e Surit dhe një e treta portën prapa rojeve. Ju do të ruani shtëpinë, duke ndaluar hyrjen në të. 7Dy pjesët e tjera prej jush, domethënë tërë ata që e lënë shërbimin ditën e shtunë, kanë për të ruajtur shtëpinë e Zotit rreth mbretit. 8Ju do të viheni rreth mbretit, secili me armët e tij në dorë; dhe kushdo që do të kërkojë të futet në radhët tuaja, do të vritet. Ju do të jeni me mbretin qoftë kur del, qoftë kur hyn". 9Kështu komandantët e qindsheve vepruan pikërisht ashtu si kishte urdhëruar prifti Jehojada. Secili mori njerëzit e tij, ata që hynin në shërbim ditën e shtunë dhe ata që linin shërbimin ditën e shtunë, dhe shkuan te prifti Jehojada. 10Prifti u dha komandantëve të qindshëve shtizat dhe mburojat që i kishte pasur mbreti David dhe që ishin në shtëpinë e Zotit. 11Rojet, secili me armën e tij në dorë, u vendosën në krahun jugor të tempullit deri në krahun e tij verior, pranë altarit dhe tempullit, rreth mbretit. 12Pastaj Jehojada e çoi jashtë birin e mbretit, i vuri mbi kokë diademën dhe i dorëzoi ligjin. E shpallën mbret dhe e vajosën; pastaj duartrokitën dhe thirrën: "Rroftë mbreti!". 13Kur Athaliahu dëgjoi zhurmën e rojeve dhe të popullit, shkoi në drejtim të popullit në shtëpinë e Zotit. 14Vështroi dhe e pa mbretin në këmbë mbi podiumin, sipas zakonit; kapitenët dhe borizanët ishin afër mbretit, ndërsa tërë populli i vendit ishte në festë dhe u binte borive. Atëherë Athaliahu grisi rrobat e saj dhe bërtiti: "Tradhëti, tradhëti!". 15Por prifti Jehojada urdhëroi komandantët e qindshëve, që komandonin ushtrinë, dhe u tha atyre: "Nxirreni jashtë nga rreshtat dhe kushdo që i shkon pas të vritet me shpatë!". Në fakt prifti kishte thënë: "Mos lejoni që ajo të vritet në shtëpinë e Zotit". 16Kështu e kapën dhe, sa po arriti në shtëpinë e mbretit nëpër rrugën e portës së kuajve, aty e vranë. 17Pastaj Jehojada bëri një besëlidhje midis Zotit, mbretit dhe popullit, me qëllim që Izraeli të ishte populli i Zotit; lidhi gjithashtu një besëlidhje midis mbretit dhe popullit. 18Atëherë tërë populli i vendit shkoi në tempullin e Baalit dhe e shkatërroi; i bëri copë-copë tërë altarët dhe shëmbëlltyrat e tij, vrau para altarëve Matanin, priftin e Baalit. Pastaj prifti Jehojada vendosi roje rreth shtëpisë së Zotit. 19Pastaj mori komandantët e qindsheve të rojeve personale të mbretit dhe të rojeve dhe tërë popullin e vendit; këta bënë që mbreti të zbresë nga shtëpia e Zotit dhe, duke ndjekur rrugën e portës së rojeve e çuan në shtëpinë e mbretit, ku ai u ul në fronin e mbretërve. 20Kështu populli i vendit bëri festë dhe qyteti mbeti i qetë, sepse kishin vrarë me shpatë Athaliahun në shtëpinë e mbretit. 21Joasi ishte shtatë vjeç kur filloi të mbretërojë. |