Mateu 17
Albanian
1Mbas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, vëllanë e tij, dhe i çoi mbi një mal të lartë, në vetmi; 2dhe u shpërfytyrua përpara tyre: fytyra e tij shkëlqeu si dielli dhe rrobat e tij u bënë të bardha si drita. 3Dhe ja, iu shfaqën atyre Moisiu dhe Elia, të cilët bisedonin me të. 4Atëherë Pjetri, duke marrë fjalën, i tha Jezusit: ''Zot, është mirë që ne jemi këtu; po të duash, do të ngremë këtu tri çadra: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elian''. 5Ndërsa ai fliste akoma, ja një re plot dritë i mbuloi; dhe nga reja u dëgjua një zë që thoshte: ''Ky është Biri im i dashur, në të jam kënaqur: dëgjojeni!''. 6Dhe dishepujt, sapo e dëgjuan këtë, ranë me fytyrë për tokë dhe i zuri një frikë e madhe. 7Por Jezusi u afrua, i preku dhe tha: ''Çohuni dhe mos kini frikë!''. 8Dhe ata, kur i çuan sytë, nuk panë njeri, përveç Jezusit vetëm.

9Pastaj, kur po zbrisnin nga mali, Jezusi u dha atyre këtë urdhër duke thënë: ''Mos i flisni askujt për këtë vegim, derisa i Biri i njeriut të jetë ringjallur prej së vdekuri''. 10Atëherë dishepujt e tij e pyetën duke thënë: ''Vallë pse skribët thonë se duhet të vijë më parë Elia?''. 11Dhe Jezusi u përgjigj: ''Vërtetë Elia duhet të vijë më parë dhe të rivendosë çdo gjë. 12Por unë ju them se Elia ka ardhur dhe ata nuk e kanë njohur, madje u sollën me të si deshën; kështu edhe Birit të njeriut do t'i duhet të vuajë prej tyre''. 13Atëherë dishepujt e kuptuan se u kishte folur për Gjon Pagëzorin.

14Kur arritën afër turmës, një burrë iu afrua dhe, duke u gjunjëzuar para tij, 15tha: ''Zot, ki mëshirë për birin tim, sepse është epileptik dhe vuan shumë; shpesh ai bie në zjarr dhe shpesh në ujë. 16Tani unë e solla te dishepujt e tu, por ata nuk mundën ta shërojnë''. 17Dhe Jezusi duke u përgjigjur tha: ''O brez që nuk beson dhe i çoroditur! Deri kur do të qëndroj midis jush? Deri kur do t'ju duroj? E sillni këtu tek unë''. 18Atëherë Jezusi e qortoi demonin dhe ky doli nga djali; dhe që nga ai çast djali u shërua.

19Atëherë dishepujt iu afruan Jezusit mënjanë dhe i thanë: ''Përse ne nuk ishim në gjendje ta dëbonim?''. 20Dhe Jezusi u tha atyre: ''Prej mosbesimit tuaj; sepse në të vërtetë, unë po ju them, se po të keni besim sa një kokërr sinapi, do t'i thoni këtij mali: "Zhvendosu nga këtu atje", dhe ai do të zhvendoset; dhe asgjë nuk do të jetë e pamundshme për ju. 21Por ky lloji demoni nuk del veçse me anë të lutjes dhe të agjërimit''.

22Por, ndërsa ata qëndronin në Galile, Jezusi u tha atyre: ''Biri i njeriut do t'u dorëzohet në duart e njerëzve, 23dhe ata do ta vrasin; por ditën e tretë ai do të ringjallet''. Dhe ata u pikëlluan shumë.

24Kur arritën në Kapernaum, vjelësit e të drahmeve iu afruan Pjetrit dhe thanë: ''Mësuesi juaj a e paguan taksën e tempullit?''. 25Ai tha: ''Po''. Kur hyri në shtëpi, Jezusi e priti përpara duke thënë: ''Ç'mendon ti, Simon? Prej kujt i marrin haraçet ose taksat mbretërit e dheut? Prej bijve të vet apo prej të huajve?''. 26Pjetri i tha: ''Prej të huajve''. Jezusi tha: ''Bijtë, pra, përjashtohen. 27Megjithatë, për të mos i skandalizuar ata, shko në det, hidhe grepin dhe merr peshkun e parë që do vijë lart, hapja gojën dhe do të gjesh një staterë; merre dhe jepjau atyre për ty dhe për mua''.



Albanian, ABS Version 1994

This text is copyright the Albanian Bible Society (ABS)

Bible Hub

Matthew 16
Top of Page
Top of Page