Gjoni 15
Albanian
1''Unë jam hardhia e vërtetë dhe Ati im është vreshtari. 2Çdo shermend që nuk jep fryt në mua, ai e heq; kurse çdo shermend që jep fryt, ai e krasit që të japë edhe më shumë fryt. 3Ju tashmë jeni të pastër, për shkak të fjalës që ju kumtova. 4Qëndroni në mua dhe unë do të qëndroj në ju; sikurse shermendi nuk mund të japë fryt nga vetja, po qe se nuk qëndron në hardhi, ashtu as ju, nëse nuk qëndroni në mua. 5Unë jam hardhia, ju jeni shermendet; kush qëndron në mua dhe unë në të, jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë. 6Në qoftë se ndokush nuk qëndron në mua, hidhet jashtë si shermendi dhe thahet; pastaj i mbledhin, i hedhin në zjarr dhe digjen. 7Në qoftë se qëndroni në mua dhe fjalët e mia qëndrojnë në ju, kërkoni çfarë të doni dhe do t'ju bëhet. 8Në këtë është përlëvduar Ati im, që të jepni shumë fryt, dhe kështu do të jeni dishepujt e mi. 9Sikurse Ati më ka dashur mua, ashtu edhe unë ju kam dashur juve; qëndroni në dashurinë time. 10Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, sikurse unë i zbatova urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në dashurinë e tij. 11Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi im të qëndrojë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë.

12Ky është urdhërimi im: ta doni njëri-tjetrin, ashtu si unë ju kam dashur juve. 13Askush s'ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij. 14Ju jeni miqtë e mi, nëse bëni gjërat që unë ju urdhëroj. 15Unë nuk ju quaj më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk e di ç'bën i zoti; por unë ju kam quajtur miq, sepse ju bëra të njihni të gjitha gjëra që kam dëgjuar nga Ati im. 16Nuk më keni zgjedhur ju mua, por unë ju kam zgjedhur juve; dhe ju caktova të shkoni dhe të jepni fryt, dhe fryti juaj të jetë i qëndrueshëm, që, çfarëdo gjë që t'i kërkoni Atit në emrin tim, ai t'jua japë. 17Këtë ju urdhëroj: ta doni njëri-tjetrin.

18Nëse bota ju urren, ta dini se më ka urryer mua para jush. 19Po të ishit nga bota, bota do të donte të vetët; por sepse nuk jeni nga bota, por unë ju kam zgjedhur nga bota, prandaj bota ju urren. 20Kujtoni fjalën që ju thashë: "Shërbëtori nuk është më i madh se i zoti". Nëse më kanë përndjekur mua, do t'ju përndjekin edhe ju; nëse kanë zbatuar fjalën time, do të zbatojnë edhe tuajën. 21Të gjitha këto gjëra do t'jua bëjnë për shkak të emrit tim, sepse nuk e njohin atë që më ka dërguar. 22Po të mos kisha ardhur dhe të mos u kisha folur atyre, nuk do të kishin faj; por tani ata nuk kanë asnjë shfajësim për mëkatin e tyre. 23Kush më urren mua, urren edhe Atin tim. 24Po të mos kisha bërë në mes tyre vepra që askush tjetër nuk ka bërë, nuk do të kishin faj; por tani, përkundrazi, e kanë parë, dhe më kanë urryer mua dhe Atin tim. 25Por kjo ndodhi që të përmbushet fjala e shkruar në ligjin e tyre: "Më kanë urryer pa shkak".

26Por kur të vijë Ngushëlluesi, që do t'ju dërgoj prej Atit, Fryma e së vërtetës, që del nga Ati im, ai do të dëshmojë për mua. 27Edhe ju, gjithashtu, do të dëshmoni, sepse ishit me mua që nga fillimi''.



Albanian, ABS Version 1994

This text is copyright the Albanian Bible Society (ABS)

Bible Hub

John 14
Top of Page
Top of Page