Albanian 1Biri im, mos harro mësimet e mia dhe zemra jote le të ruajë urdhërimet e mia, 2sepse do të të shtohen ditë të gjata, vite jete dhe paqeje. 3Mirësia dhe e vërteta mos të lënçin kurrë; lidhi rreth qafës, shkruaji mbi tabelën e zemrës sate; 4do të gjesh kështu hir dhe arsye në sytë e Perëndisë dhe të njerëzve. 5Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; 6pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua. 7Mos e mbaj veten të ditur në sytë e tu, ki frikë nga Zoti dhe hiq dorë nga e keqja; 8kjo do të jetë shërim për nervat e tua dhe freskim për kockat e tua. 9Ndero Zotin me pasurinë tënde dhe me prodhimet e para të çdo të ardhure që ke; 10hambarët e tu të grurit do të jenë plot e përplot dhe vozat e tua do të gufojnë me musht. 11Biri im, mos e përçmo ndëshkimin e Zotit dhe mos urre qortimin e tij, 12sepse Zoti qorton atë që do, si një baba djalin që atij i pëlqen. 13Lum ai njeri që ka gjetur diturinë dhe njeriu që ka përftuar arsyen. 14Sepse fitimi i tij është më i mirë se fitimi i argjendit dhe fryti i tij vlen më tepër se ari i kulluar. 15Ajo është më e çmuar se perlat dhe mbarë gjërat më të këndshme nuk mund të barazohen me të. 16Gjatësia e jetës është në të djathtë të saj, pasuria dhe lavdia në të majtë të saj. 17Rrugët e saj janë rrugë të kënaqshme dhe në të tërë shtigjet e saj mbretëron paqja. 18Ajo është një dru i jetës për ata që e kapin dhe lum ata që mbahen fort atje. 19Me diturinë Zoti krijoi tokën dhe me zgjuarësinë i bëri të qëndrueshëm qiejtë. 20Me diturinë e tij u hapën humnerat dhe retë japin vesë. 21Biri im, këto gjëra mos u largofshin kurrë nga sytë e tu. Mbaje diturinë dhe të menduarit. 22Ato do të jenë jetë për shpirtin tënd dhe një zbukurim në qafën tënde. 23Atëherë do të ecësh i sigurt në rrugën tënde dhe këmba jote nuk do të pengohet. 24Kur do të biesh për të fjetur, nuk do të kesh frikë; po, do të biesh dhe gjumi yt do të jetë i ëmbël. 25Nuk do të druash llahtarën e papritur, as shkatërrimin e të pabesëve kur do të ndodhë, 26sepse Zoti do të jetë pranë teje dhe do të pengojë që këmba jote të kapet në ndonjë lak. 27Mos i refuzo të mirën atij që i takon, kur e ke në dorë ta bësh. 28Mos i thuaj të afërmit tënd: "Shko dhe kthehu; do të të jap nesër", kur e ke me vete gjënë e nevojshme. 29Mos kurdis asnjë të keqe kundër të afërmit tënd, ndërsa ai banon me besim bashkë me ty. 30Mos bëj padi kundër askujt pa shkak; po të jetë se nuk të ka bërë asnjë të keqe. 31Mos ki zili njeriun e dhunshëm dhe mos zgjidh asnjë nga rrugët e tij, 32sepse Zoti e neverit njeriun e çoroditur, por këshilla e tij është për njerëzit e ndershëm. 33Mallkimi i Zotit është në shtëpinë e të pabesit, por ai bekon banesën e të drejtëve. 34Me siguri ai tallet me tallësit, por i fal të përvuajturit. 35Njerëzit e urtë do të trashëgojnë lavdinë, por poshtërsia do të jetë trashëgimia e atyre që nuk kanë mend. |