Albanian 1Fjala e Zotit m'u drejtua përsëri, duke thënë:
2Bir njeriu, bëja të njohura Jeruzalemit veprimet e tij të neveritshme,
3dhe i thuaj: Kështu i thotë Zoti, Zoti, Jeruzalemit: Prejardhja jote dhe lindja jote janë nga vendi i Kanaanit; ati yt ishte një Amoreas dhe nëna jote një Hitease.
4Kur linde ti, ditën që dole në këtë botë, nuk t'u pre kërthiza, nuk të lanë me ujë për t'u pastruar, nuk të fërkuan me kripë as të mbështollën në pelena.
5Asnjë sy nuk u kujdes për ty që të të bënte qoftë edhe një nga këto gjëra, duke i ardhur keq për ty; përkundrazi ditën që linde të hodhen në fushë të hapur, për shkak të neverisë që kishin për ty. 6Unë të kalova afër, pashë që po përpëliteshe në gjak dhe të thashë, ndërsa ndodheshe në gjakun tënd: "Jeto!". Po, ndërsa ndodheshe në gjakun tënd të thashë: "Jeto!". 7Të bëra të rritesh si mori si filizat e arave; dhe ti u rrite, ubëre e madhe dhe u bëre shumë e bukur. Gjiri t'u formua, flokët t'u rritën shumë, por ti ishe lakuriqe dhe nevojtare. 8Unë të kalova afër dhe të shikova, dhe ja, koha jote ishte koha e dashurisë. Kështu shtriva cepin e rrobave të mia mbi ty dhe mbulova lakuriqësinë tënde; të bëra një betim, lidha një besëlidhje me ty dhe ti u bëre imja", thotë Zoti, Zoti. 9Të lava me ujë, të pastrova krejt nga gjaku dhe të leva me vaj. 10Pastaj të vura të veshësh rroba të qëndisura, të vura sandale prej lëkure baldoseje, të rrethova kokën me li të hollë dhe të mbulova me mëndafsh. 11Të zbukurova me stoli, të vura byzylykë në kyçet e dorës dhe një gjerdan në qafë. 12Të vura një unazë në hundë, vathë te veshët dhe një kurorë të mrekullueshme mbi krye. 13Kështu u zbukurove me ar dhe argjend dhe u veshe me li të hollë, me mëndafsh dhe me qëndisje. Ti hëngre majë mielli, mjaltë dhe vaj; u bëre shumë, shumë e bukur dhe arrite të mbretërosh. 14Nami yt u përhap midis kombeve për bukurinë tënde që ishte e përsosur, për shkak të shkëlqimit tim të madh që kisha vendosur mbi ty", thotë Zoti, Zoti. 15Por ti vure besim në bukurinë tënde dhe u kurvërove për shkak të namit tënd dhe ia falje kurvërimet e tua çdo kalimtari, që i pranonte. 16Ti more disa nga rrobat e tua, bëre vende të larta me ngjyra të ndryshme në të cilat u kurvërove, gjëra që nuk duhet të kishin ndodhur dhe as që të ishin. 17More gjithashtu xhevahiret e tua të bukura të bëra me arin dhe argjendin tim, që unë të kisha dhënë, bëre prej tyre figura njeriu dhe u kurvërove me to; 18pastaj more rrobat e tua të qëndisura, i mbulove dhe ofrove para tyre vajin dhe temjanin tim. 19Edhe bukën time që të kisha dhënë, majën e miellit, vajin dhe mjaltin me të cilin të ushqeja, i vure para tyre si një parfum me erë shumë të këndshme; kështu ndodhi", thotë Zoti, Zoti. 20Përveç kësaj more bijtë e tu e bijat e tua që më kishe lindur dhe i sakrifikove ata, që të gëlltiten. Mos vallë ishin pak gjë kurvërimet e tua, 21që ti të therje bijtë e mi dhe t'ua ofroje atyre duke i kaluar nëpër zjarr? 22Me gjithë veprimet e tua të neveritshme dhe kurvërimet e tua, nuk i kujtove ditët e rinisë sate, kur ishe lakuriq dhe nevojtare dhe përpëliteshe në gjak. 23Tani mbas gjithë ligësisë sate, "mjerë, mjerë ti!"", thotë Zoti, Zoti; 24në çdo shesh ke ndërtuar një kamare dhe ke bërë një vend të lartë; 25në krye të çdo rruge ke ndertuar një vend te lartë, e ke bërë të neveritshme bukurinë tënde, dhe i ke hapur këmbët e tua çdo kalimatari, duke i shumuar kurvërimet e tua. 26Ti gjithashtu je kurvëruar me Egjiptasit, fqinjët e tu trupmëdhenj, dhe i ke shumuar kurvërimet e tua për të provokuar zemërimin tim. 27Prandaj, ja, unë kam shtrirë dorën kundër teje, kam pakësuar racionin tënd të caktuar, të kam lënë në dorë të atyre që të urrejnë, bijave të Filistejve, që u vjen turp nga qëndrimi yt i poshtër. 28Ende e pa kënaqur, je kurvëruar me Asirianët; po, je kurvëruar me ata, por pa qenë e kënaqur. 29Kështu i ke shtuar kurvërimet e tua me vendin e Kanaanit deri në Kalde, por as me këtë nuk je kënaqur. 30Sa e shthurur është zemra jote", thotë Zoti, Zoti, "kur bën tërë këto gjëra të një prostitute pa cipë! 31Ti ndërtoje kamaren në krye të çdo rruge dhe bënje vendet e larta në çdo shesh por nuk ishe si një prostitutë, sepse përbuzje pagën, 32por si një grua që shkel kurorën, që në vend të bashkëshortit të saj pret të huajt. 33Të gjitha prostitutave u bëhen dhurata, por ti u ke bërë dhurata gjithë dashnorëve të tu dhe me dhurata i ke bërë të vijnë nga çdo anë te ti për kurvërimet e tua. 34Në kurvërimet e tua je sjellë krejt ndryshe nga gratë e tjera; askush nuk të ndiqte nga pas për t'u kurvëruar, sepse ti jepje pagesën në vend që ta merrje atë; kështu je sjellë krejt ndryshe nga të tjerat". 35Prandaj, o prostitutë, dëgjo fjalën e Zotit. 36Kështu thotë Zoti, Zoti: "Duke qenë se paratë e tua janë shkapërderdhur dhe lakuriqësia jote është zbuluar në kurvërimet e tua me dashnorët e tu dhe me tërë idhujt e tu të neveritshëm dhe për shkak të gjakut të bijve të tu që u ke ofruar atyre, 37ja, unë do të mbledh tërë dashnorët e tu me të cilët ke bërë qejf, të gjithë ata që ke dashuruar bashkë me ata që ke urryer; do t'i mbledh nga çdo anë kundër teje dhe do të zbuloj para tyre lakuriqësinë tënde, me qëllim që ata të shohin gjithë lakuriqësinë tënde. 38Do të të gjykoj si gjykohen gratë që shkelin kurorën dhe ato që derdhin gjakun dhe do të sjell mbi ty gjakun e tërbimit dhe të xhelozisë. 39Do të të jap pastaj në duart e tyre dhe ata do të shembin kamaren tënde dhe do të hedhin poshtë të gjitha vendet e tua të larta do të të zhveshin gjithashtu nga rrobat e tua, do të marrin xhevahiret e tua të mrekullueshme dhe do të të lënë lakuriq dhe nevojtare. 40Pastaj do të bëjnë të dalë kundër teje një turmë e madhe dhe do të të vrasin me gurë dhe do të të shpojnë me shpatat e tyre. 41Do t'u vënë flakën shtëpive të tua dhe do të zbatojnë vendime kundër teje para syve të shumë grave; do të të bëj të heqësh dorë nga kurvërimi dhe nuk do të japësh më asnjë pagë. 42Kështu do ta fashit zemërimin tim mbi ty dhe xhelozia ime do të largohet nga ti; do të qetësohem dhe nuk do të zemërohem më. 43Sepse ti nuk i ke kujtuar ditët e rinisë sate dhe më ke bërë të tërbohem me të gjitha këto gjëra, ja, edhe unë do të të bëj që të bien mbi kokën tënde veprimet e tua", thotë Zoti, Zoti, "kështu ti nuk do të kryesh poshtërsi të tjera përveç veprimeve të tua të neveritshme. 44Kushdo që do të thotë proverba, do të thotë këtë proverb kundër teje: "Si nëna është edhe e bija". 45Ti je me të vërtetë bija e nënës sate që ka mohuar bashkëshortin e saj dhe bijt e vet, dhe je motër e motrave të tua që kanë mohuar burrat dhe bijtë e tyre. Nëna juaj ishte një Hitease dhe ati juaj një Amoreas. 46Motra jote më e madhe është Samaria, që banon me gjithë bijat e saj në të majtën tënde; motra jote më e vogël është Sodoma, që banon me gjithë bijat e saj në të djathtën tënde. 47Ti jo vetëm ke ecur në rrugët e tyre dhe ke kryer veprimet e tyre të neveritshme, por, sikur kjo të ishte fare pak, në të gjitha rrugët e tua je korruptuar më shumë se ato. 48Siç është e vërtetë që unë rroj", thotë Zoti, Zoti, "motra jote Sodoma dhe bijat e saj nuk kanë bërë atë që ke bërë ti bashkë me bijat e tua. 49Ja, kjo qe paudhësia e motrës sate Sodoma: ajo dhe bijat e saj jetonin në kryelartësi, në bollëkun e bukës dhe në një plogështi të theksuar, por nuk përkrahnin dorën e të përvuajturit dhe të të varfërit. 50Ishin fodulle dhe kryenin veprime të neveritshme para meje; prandaj i hoqa nga mesi, kur e pashë këtë. 51Samaria nuk ka kryer as gjysmën e mëkateve të tua; ti i ke shumuar veprimet e tua të neveritshme më shumë se ato dhe ke justifikuar motrat e tua me të gjitha veprimet e neveritshme që ke kryer. 52Ti, që ke gjykuar motrat e tua, mbaje turpin tënd, sepse me mëkatet që ke kryer je bërë më e neveritshme se ato; ato janë më të drejta se ti. Po, ki turp, dhe mbaje për vete turpin, sepse ke justifikuar motrat e tua. 53Kur do t'i kthej robërit e tyre, robërit e Sodomës dhe bijat e saj, robërit e Samarias dhe vajzat e saj, atëherë do t'i kthej edhe robërit nga robërimi yt që janë në mes tyre, 54me qëllim që ti të mbash turpin tënd dhe të turpërohesh për tërë ato që ke bërë, kur i ke dhënë zemër. 55Kur motrat e tua, Sodoma dhe bijat e saj, do të kthehen në gjendjen e tyre të mëparshme, dhe Samaria dhe bijat e saj do të kthehen në gjendjen e tyre të mëparshme, edhe ti dhe bijat e tua do të ktheheni në gjendjen tuaj të mëparshme. 56Motra jote Sodoma nuk ishte përmendur fare nga goja jote në ditët e kryelartësisë sate, 57para se ligësia jote të zbulohej lakuriq, si ndodhi kur të fyen bijat e Sirisë dhe të gjitha ato që ishin rreth tyre, bijat e Filistejve, që të përçmonin nga të gjitha anët. 58Ti mban dënimin e poshtërsisë sate dhe të veprimeve të tua të neveritshme", thotë i Amshueshmi. 59Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: "Unë do të veproj me ty ashtu si ke vepruar ti me mua, se ke përçmuar betimin, duke shkelur besëlidhjen". 60Megjithatë do të kujtoj besëlidhjen që lidha me ty në ditët e rinisë sate dhe do të lidh me ty një besëlidhje të përjetëshme. 61Atëherë do të kujtohesh për sjelljen tënde dhe do të të vijë turp, kur do të presësh motrat e tua, ato që janë më të mëdha dhe ato që janë më të vogla nga ti; dhe unë do t'i jap ty si bija, por jo për hir të besëlidhjes sate. 62Unë do të lidh besëlidhjen time me ty dhe ti do të pranosh që unë jam Zoti, 63me qëllim që të mbash mend, të të vijë turp dhe të mos hapësh gojën për shkak të konfuzionit tënd, kur të kem bërë shlyerjen e fajit për të gjitha ato që ke bërë", thotë Zoti, Zoti. |