Albanian 1Jam neveritur nga jeta ime; do të shfryj lirisht vajtimin tim, duke folur në trishtimin e shpirtit tim! 2Do t'i them Perëndisë: "Mos më dëno! Bëmë të ditur pse grindesh me mua. 3A të duket mirë të shtypësh, të përçmosh veprën e duarve të tua dhe të tregohesh në favor të qëllimeve të njerëzve të këqij? 4A ke sy prej mishi, apo shikon edhe ti si shikon njeriu? 5A janë vallë ditët e tua si ditët e një të vdekshmi, vitet e tua si ditët e një njeriu, 6sepse ti duhet të hetosh lidhur me fajin tim dhe të kërkosh mëkatin tim, 7megjithëse e di që nuk jam fajtor dhe që nuk ka njeri që mund të më çlirojë nga dora jote? 8Duart e tua më kanë bërë dhe më kanë dhënë trajtë por tani ti kërkon të më zhdukësh. 9Mbaj mend, të lutem, që më ke modeluar si argjila, dhe do të më bësh të kthehem në pluhur! 10A nuk më ke derdhur vallë si qumështi dhe më ke piksur si djathi? 11Ti më ke veshur me lëkurë dhe me mish, më ke thurur me kocka dhe me nerva. 12Më ke dhënë jetë dhe dashamirësi, dhe providenca jote është kujdesur për frymën time, 13por këto gjëra i fshihje në zemrën tënde; tani unë e di që ti mendoje një gjë të tillë. 14Në qoftë se mëkatoj, ti më ndjek me sy dhe nuk më lë të pandëshkuar për fajin tim. 15Në qoftë se jam i keq, mjerë unë! Edhe sikur të jem i drejtë, nuk do të guxoja të ngrija kokën, i ngopur siç jam nga poshtërsia dhe duke parë mjerimin tim. 16Në rast se ngre kryet, ti më ndjek si luani, duke kryer përsëri mrekulli kundër meje. 17Ti i përtërin dëshmitarët kundër meje, e shton zemërimin tënd kundër meje dhe trupa gjithnjë të reja më sulmojnë. 18Pse, pra, më nxore nga barku? Të kisha vdekur, pa më parë sy njeriu! 19Do të kisha qenë sikur të mos kisha ekzistuar kurrë, i mbartur nga barku në varr. 20A nuk janë vallë të pakta ditët e mia? Jepi fund, pra, lërmë të qetë që të mund ta mbledh pak veten; 21para se të shkoj për të mos u kthyer më, drejt vendit të errësirës dhe të hijes së vdekjes, 22të vendit të territ dhe të errësirës së madhe të hijes së vdekjes, ku ka vetëm pështjellim, ku madje edhe drita është si errësira". |