Psalmet 102
Albanian
1O Zot, dëgjo lutjen time dhe britma ime arriftë tek ty.

2Mos ma fshih fytyrën tënde ditën e fatkeqësisë sime. Zgjate ndaj meje veshin tënd; kur unë të kërkoj, nxito të më përgjigjesh.

3Sepse ditët e mia davariten si tymi dhe kockat e mia digjen si urë zjarri.

4Zemra ime është goditur dhe thahet si bari, dhe unë harroj madje të ha ushqim.

5Duke vajtuar vazhdimisht, lëkura ime po u ngjitet kockave të mia.

6I ngjaj pelikanit të shketëtirës dhe jam bërë si bufi i vendeve të shkretuara.

7Jam pa gjumë dhe si harabeli i vetmuar mbi çati.

8Armiqtë e mi tallen me mua tërë ditën; ata që më përqeshin flasin kundër meje.

9Sepse e ha hirin si buka dhe përzjej lotët me atë që pi.

10Po, për shkak të indinjatës sate dhe të zemërimit tënd, më ngrite dhe më hodhe larg.

11Ditët e mia janë si hija që zgjatet, dhe unë po thahem si bari.

12Por ti, o Zot, mbetesh përjetë, dhe kujtimi yt zgjat brez pas brezi.

13Ti do të ngrihesh dhe do të të vijë keq për Sionin, sepse erdhi koha të tregosh dhembshuri ndaj tij; dhe koha e caktuar erdhi.

14Sepse shërbëtorët e tu i duan edhe gurët e tij dhe u vjen keq për pluhurin e tij.

15Po, kombet do të kenë frikë nga emri i Zotit dhe gjithë mbretërit e dheut nga lavdia jote,

16kur Zoti do të rindërtojë Sionin dhe do të duket në lavdinë e tij.

17Ai do të dëgjojë lutjen e njerëzve të braktisur dhe nuk do ta përbuzë lutjen e tyre.

18Kjo do të shkruhet për brezin e ardhshmëm, dhe populli që do të krijohet do të lëvdojë Zotin,

19sepse ai shikon nga lartësia e shenjtërores së tij; nga qielli Zoti këqyr dheun,

20për të dëgjuar vajtimin e robërve, për të çliruar të dënuarit me vdekje;

21me qëllim që në Sion të shpallin emrin e Zotit dhe në Jeruzalem lavdinë e tij,

22kur popujt dhe mbretëritë do të mblidhen bashkë për t'i shërbyer Zotit.

23Rrugës ai ka pakësuar fuqinë time dhe ka shkurtuar ditët e mia.

24Kam thënë: "O Perëndia im, mos më merr në mes të ditëve të mia. Vitet e tua zgjasin brez pas brezi.

25Së lashti ti ke vendosur tokën dhe qiejtë janë vepër e duarve të tua;

26ata do të zhduken, por ti do të mbetesh; do të konsumohen të gjithë si një rrobe; ti do t'i ndërrosh si një rrobe dhe ata do të ndryshohen.

27Por ti je gjithnjë po ai dhe vitet e tua nuk do të kenë kurrë fund.

28Bijtë e shërbëtorëve të tu do të kenë një vendbanim dhe pasardhësit e tyre do të jenë të qëndrueshëm para teje".



Albanian, ABS Version 1994

This text is copyright the Albanian Bible Society (ABS)

Bible Hub

Psalm 101
Top of Page
Top of Page