Albanian 1Beko, o shpirti im, Zotin! O Zot, Perëndia im, ti je jashtëzakonisht i madh; je veshur me shkëlqim dhe madhështi. 2Ai të mbështjell me dritë si të ishte një mantel dhe i shtrin qiejtë si një çadër; 3ai ndërton mbi ujërat dhomat e tij të larta, i bën retë si qerren e tij dhe ecën mbi krahët erës. 4I bën erërat lajmëtarë të tij dhe flakët e zjarrit shërbëtorë të tij. 5Ai e ka krijuar tokën mbi themelet e saj; kjo nuk do të luajë kurrë përjetë. 6Ti e kishe mbuluar me humnerë si me një rrobe; ujërat ishin ndalur mbi malet. 7Në qortimin tënd ato ikën, në zërin e gjëmimit tënd u larguan me nxitim. 8Dolën malet dhe luginat u ulën në vendin që ti kishe caktuar për to. 9Ti u vure ujërave një kufi që nuk duhet ta kapërxenin; ato nuk do të kthehen më të mbulojnë tokën. 10Ai bën që të dalin burime në luginat; ato rrjedhin midis maleve, 11dhe u japin për të pirë tërë kafshëve të fushës; gomarët e egër shuajnë etjen e tyre. 12Pranë tyre banojnë shpendët e qiellit; midis gjelbërimeve lartojnë këngën e tyre. 13Nga dhomat e sipërme të tij ai u jep ujë maleve; toka ngopet me frytin e veprave të tua. 14Ai bën që të rritet bari për bagëtinë dhe bimësia në shërbim të njeriut, duke nxjerrë nga toka ushqimin e tij, 15dhe verën që gëzon zemrën e njeriut, vajin që bën të shkëlqejë fytyra tij dhe bukën që i jep forcë zemrës së njeriut. 16Kështu ngopen drurët e Zotit dhe kedrat e Libanit që ai ka mbjellë; 17aty bëjnë folenë e tyre zogjtë, ndërsa lejleku bën nëpër selvitë banesën e tij. 18Malet e larta janë për dhitë e egra, shkëmbinjtë janë streha e lepujve. 19Ai ka bërë hënën për stinët, dielli e di orën e perëndimit të tij. 20Ti dërgon terrin dhe bëhet natë; gjatë asaj shkojnë rreth e qark gjithë kafshët e pyllit. 21Luanët e vegjël vrumbullojnë duke kërkuar gjahun dhe i kërkojnë Perëndisë ushqimin e tyre. 22Por, kur lind dielli, ata tërhiqen dhe rrinë në strofkat e tyre. 23Atëherë njeriu del për të punuar dhe punon deri në mbrëmje. 24Sa të shumta janë veprat e tua, o Zot! Ti i ke bërë të gjitha me dituri; toka është plot me pasuritë e tua. 25Ja deti, i madh dhe i gjerë, ku gëlojnë krijesa të panumërta; 26e përshkojnë anijet dhe Leviathani, që ti ke formuar për t'u tallur në të. 27Të gjithë presin që ti t'u japësh ushqimin në kohën e duhur. 28Ti ua jep atyre dhe ata e mbledhin; ti hap dorën dhe ngopen me të mira. 29Ti fsheh fytyrën tënde dhe ata e humbasin fare; ti heq frymën, dhe ata vdesin duke u kthyer përsëri në pluhurin e tyre. 30Ti dërgon frymën tënde dhe ata krijohen, kështu ti ripërtërin faqen e dheut. 31Lavdia e Zotit të rrojë përjetë; le të gëzohet Zoti me veprat e tij; 32ai shikon tokën dhe kjo dridhet; ai prek malet dhe ato nxjerrin tym. 33Unë do t'i këndoj Zotit deri sa të kem jetë; do t'i këndoj lavde Perëndisë tim deri sa të jem. 34Le të jetë mendimi im i pëlqyer prej tij; unë do të ngazëllohem tek Zoti. 35Le të zhduken mëkatarët nga toka dhe të pabesët mos qofshin më. Shpirti im, bekoje Zotin! Aleluja. |