Albanian 1Pastaj Samueli vdiq, dhe tërë Izraeli u mblodh dhe e qau, e varrosën në shtëpinë e tij në Ramah. Atëherë Davidi u ngrit dhe zbriti në shkretëtirën e Paranit. 2Në Maon jetonte një njeri pronat e të cilit ndodheshin në Karmel; ky njeri ishte shumë i pasur; kishte tre mijë dele dhe një mijë dhi, dhe ndodhej në Karmel për të qethur delet e tij. 3Ky njeri quhej Nabal dhe gruaja e tij Abigail; ajo ishte një grua me gjykim të shëndoshë dhe e hijshme, por burri i saj ishte i ashpër dhe i keq në veprimet e tij; ai rridhte nga Kalebi. 4Kur Davidi mësoi në shkretëtirë që Nabali ishte duke qethur delet e tij, 5dërgoi dhjetë të rinj; Davidi u tha të rinjve: "Ngjituni në Karmel, shkoni tek Nabali dhe pyeteni nga ana ime në se është mirë, 6dhe i thoni kështu: "Shëndet! Paqe ty, paqe shtëpisë sate dhe paqe çdo gjëje që të përket! 7Mësova që te ti ndodhen qethësit; kur barinjtë e tu ndodheshin te ne, nuk u kemi bërë asnjë të keqe, dhe nuk u ka munguar gjë gjatë kohës që kanë qenë në Karmel. 8Pyet shërbëtorët e tu dhe do të ta thonë. Paçin hirin tënd këta të rinj, sepse kemi ardhur në një ditë gëzimi; jepu, të lutem, shërbëtorëve të tu dhe birit tënd David ç'të kesh mundësi"". 9Kështu të rinjtë e Davidit shkuan dhe i njoftuan Nabalit tërë këto fjalë në emër të Davidit, pastaj pritën. 10Por Nabali iu përgjegj shërbëtorëve të Davidit, duke thënë: "Kush është Davidi dhe kush është biri i Isait? Sot ka shumë shërbëtorë që largohen nga zotërinjtë e tyre. 11Do të marr, pra, bukën time, ujin tim dhe mishin e kafshëve që kam vrarë për qethësit e mi, për t'ua dhënë njerëzve që unë nuk di se nga vijnë?". 12Kështu të rinjtë e Davidit morën përsëri rrugën e tyre, u kthyen dhe shkuan të njoftojnë tërë këto fjalë. 13Atëherë Davidi u tha njerëzve të tij: "Secili do të ngjesh shpatën". Kështu secili ngjeshi shpatën e tij dhe Davidi ngjeshi të vetën; rreth katërqind veta shkuan pas Davidit dhe dyqind mbetën me plaçkat. 14Por një nga shërbëtorët e lajmëroi Abigailin, gruan e Nabalit, duke thënë: "Ja, Davidi ka dërguar lajmëtarë nga shkretëtira për të përshëndetur zotin tonë, por ai i ka fyer. 15Mirëpo këta njerëz janë sjellë shumë mirë me ne, nuk na kanë bërë asnjë të keqe dhe nuk ka munguar asgjë në kohën që kemi bredhur bashkë me ta nëpër fusha. 16Ata kanë qenë për ne një mur mbrojtjeje natën e ditën për gjithë kohën që kemi kullotur bashkë me ta kopenë tonë. 17Dije dhe shiko atë që duhet të bësh, sepse ka për t'i ngjarë ndonjë fatkeqësi zotit tonë dhe tërë shtëpisë së tij; ai është një njeri aq i keq, sa nuk mund t'i flasësh". 18Atëherë Abigaili mori me nxitim dyqind bukë, dy calikë verë, pesë dele të gatuara, pesë masa gruri të pjekur, njëqind vile rrush të thatë dhe dyqind bukë fiku dhe i ngarkoi mbi gomarë. 19Pastaj u tha shërbëtorëve të saj: "Shkoni para meje, unë do t'ju ndjek". Por nuk i tha asgjë Nabalit, burrit të saj. 20Ndërsa ajo po zbriste hipur mbi gomar nëpër një shteg të fshehur nga mali, Davidi dhe njerëzit e tij zbrisnin në drejtim të saj, dhe ajo i ndeshi ata. 21Davidi kishte thënë: "Kam ruajtur më kot tërë ato që ai njeri kishte në shkretëtirë. Nuk i ka dalë mangut kurrë asgjë nga tërë ato që kishte, por ai ma ktheu të mirën me të keqe. 22Kështu ua bëftë Perëndia armiqve të Davidit, madje edhe më keq, në rast se nga të gjitha ato që ai zotëron kam për të lënë të gjallë një mashkull të vetëm deri në mëngjes". 23Kur Abigaili pa Davidin, zbriti shpejt nga gomari dhe ra përmbys me fytyrën për tokë përpara Davidit. 24Kështu u shtri në këmbët e tij dhe tha: "O imzot, mbi mua, vetëm mbi mua bie faji! Por lejo shërbëtoren tënde të të flasë, dhe ti dëgjo fjalët e saj. 25Të lutem, mos ia vër re atij njeriu të neveritshëm, Nabalit, sepse ai është pikërisht ashtu si e ka emrin, ai quhet Nabal dhe karakterizohet nga budallallëku; por unë, shërbëtorja jote, nuk i kam parë të rinjtë e dërguar nga zotëria im. 26Kështu, pra, imzot, ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron dhe që shpirti yt jeton, Zoti të ka penguar të derdhësh gjak dhe të vendosësh drejtësi me duart e tua. Armiqtë e tu dhe ata që duan t'i bëjnë keq zotërisë sime qofshin si Nabali! 27Dhe tani kjo dhuratë që shërbyesja jote i ka sjellë zotërisë sime, t'u jepet të rinjve që ndjekin zotërinë tim. 28Por falja fajin shërbëtores sate; me siguri Zoti do ta bëjë të qëndrueshme shtëpinë e zotërisë tim, sepse zotëria im lufton në betejat e Zotit, dhe gjatë tërë kohës së jetës sate nuk është gjetur asnjë e keqe te ti. 29Në rast se del dikush që të të persekutojë dhe të kërkojë jetën tënde, jeta e zotërisë sim do të ruhet në peshtafin e jetës pranë Zotit, Perëndisë tënd, ndërsa jetën e armiqve të tu Zoti do ta flakë si nga zgavra e një hobëje. 30Kështu, kur Zoti t'i ketë bërë zotërisë tim të mirat që i ka premtuar dhe të të ketë vënë në krye të Izraelit, 31kjo gjë nuk do të jetë dhimbje për ty, as edhe një brejtje e ndërgjegjes së zotërisë tim; domethënë të ketë derdhur gjak pa shkak dhe të ketë marrë hak me vetëgjyqësi. Por kur Zoti do t'i bëjë të mira zotërisë tim, kujto shërbëtoren tënde". 32Atëherë Davidi i tha Abigailit: "Qoftë i bekuar Zoti, Perëndia i Izraelit, që sot të dërgoi ballë meje! 33E bekuar qoftë këshilla jote dhe e bekuar qofsh ti që më pengove sot të derdh gjak dhe të vendos drejtësinë me duart e mia! 34Sepse, sigurisht, ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti, Perëndia i Izraelit, që më ka penguar të të bëjë të keqen, po të mos ishe nxituar të më dilje përpara, në të gdhirë të ditës Nabalit nuk do t'i kishte mbetur asnjë njeri i gjallë". 35Kështu Davidi mori nga duart e saj ato që ajo kishte sjellë dhe i tha: "Kthehu në paqe në shtëpinë tënde; shiko, unë dëgjova zërin tënd dhe pata respekt për personin tënd". 36Abigaili u kthye pastaj te Nabali; ai kishte shtruar banket në shtëpinë e tij, një banket prej mbreti. Nabali e kishte zemrën të gëzuar, ishte i dehur xurxull; prandaj ajo nuk i tha asgjë, as pak as shumë, deri sa gdhiu. 37Por të nesërmen në mëngjes, kur efekti i verës kishte kaluar, gruaja i tregoi Nabalit këto gjëra; atëherë zemra iu ligështua dhe ai mbeti si një gur. 38Rreth dhjetë ditë më vonë Zoti e goditi Nabalin dhe ai vdiq. 39Kur mësoi që Nabali kishte vdekur, Davidi tha: "Qoftë i bekuar Zoti, që më dha hak për fyerjen e rëndë të Nabalit dhe nuk e lejoi shërbëtorin e tij të kryejë ndonjë të keqe! Zoti bëri që të bjerë mbi kokën e tij ligësia e Nabalit". Pastaj Davidi dërgoi një njeri të flasë me Abigailin, me qëllim që ajo të bëhej bashkëshortja e tij. 40Shërbëtorët e Davidit erdhën te Abigaili në Karmel dhe i folën kështu, duke thënë: "Davidi na ka dërguar te ti, sepse dëshiron të të marrë për grua". 41Atëherë ajo u ngrit në këmbë, ra përmbys me fytyrën për tokë dhe tha: "Ja, t'u bëftë shërbëtorja jote skllave, që t'u lajë këmbët shërbëtorëve të zotërisë tim". 42Pastaj Abigaili u ngrit me nxitim, hipi mbi një gomar dhe, e ndihmuar nga pesë vajza, ndoqi lajmëtarët e Davidit dhe u bë bashkëshortja e tij. 43Davidi mori edhe Ahinoamin e Jezreelit, dhe që të dyja u bënë bashkëshorte të tij. 44Por Sauli ia kishte dhënë vajzën e tij Mikal, që ishte gruaja e Davidit, Paltit, birit të Lashit, që ishte nga Galimi. |